TE REJA

Seriale Komedi


Seriali televiziv “ O sa mirë” mbledh për herë të parë rreth 16 artistë nga të gjitha trevat shqipfolëse, për të interpretuar së bashku në një klasë. Qëllimi që këta artistë të jenë së bashku është që secili prej tyre të shpalosë idetë dhe mënyrën e tij të interpretimit në dialektin e tij. Sipas Fisnik Vejsës, ky projekt ka nisur në euforinë e 100-vjetorit të Shqipërisë për ta bërë mbarëkombëtare. “Filluam me një ide një fletëshe dhe vazhduam ta zgjerojmë në një serial më të madh”, tregon ai për mediet. Ideja e titullit “O sa mirë” është e Agim Poçarit. Ky serial ka larmishmëri botëkuptimesh, ku secili nga personazhet sjell një karakter ndryshe, duke shpalosur edhe traditat e veta krahinore.
Teksti i këtij seriali kalon në duart e producentit Fisnik Vejsa dhe skenaristëve Ard Islami dhe Erion Kame. Ndërsa regjia realizohet nga Ilir Bokshi, i njohur në punën e tij me grupe të mëdha artistësh edhe në Teatrin Kombëtar, së fundmi nëpërmjet realizimit të shfaqjes “Edipi Mbret”. Në serialin komik interpretojnë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Një shkollë me nxënës nga të gjitha trevat si: Prishtina, Gjakova, Prizreni, Peja, Drenica,Tetova, Tirana, Korça dhe Shkodra. Breza të ndryshëm me tradita të ndryshme prezantojnë para publikut nëpërmjet humorit të zgjedhur edhe keqkuptime të ndryshme. Disa nga aktorët e këtij seriali tregojnë për “Shekullin”, se si ka lindur ky bashkëpunim, se sa e vështirë ka qenë për ta përshtatja e dialekteve dhe se çfarë eksperience po përfitojnë nga puna që po bëjnë me Ilir Bokshin. Për aktorin nga Kosova, Besnik Krapi, ky bashkëpunim lindi fill pasi e kontaktuan për të interpretuar në rolin e prizrenasit.